Nga Ardit Bilani
Sezoni turistik i vitit 2024 shënoi një bum të madh për Shqipërinë. Rrugët për në jug ishin të mbushura, veriu më në fund u vendos në hartën e turizmit ndërkombëtar, dhe Thethi u kthye në simbol të turizmit alternativ që Shqipëria mund të ofrojë. Shumë turistë evropianë zgjodhën Shqipërinë sepse nuk e kishin vizituar më parë, dhe sepse ajo ofronte një përvojë ndryshe — autentike, të paprekur dhe larg rrjedhës klasike të destinacioneve komerciale.
Por ky vit, 2025, nuk po ecën njësoj. Ndërkohë që fluksi nuk mungon plotësisht, ndjesia është që entuziazmi është zbehur. Dhe për këtë, mendoj se ka disa arsye shumë konkrete.
Së pari, Shqipëria vitin që shkoi ishte “zbulesa e re”. Por si çdo produkt që bëhet papritur i famshëm, pas valës së parë vjen testi i vërtetë: a dimë ta mbajmë cilësinë? A dimë të ruajmë përvojën që ofrojmë?
Thethi është një rast konkret që nxjerr në pah problemin. Në vend që të ishte në qendër të vëmendjes për zhvillim të qëndrueshëm dhe promovim turistik, këtë vit Thethi doli në lajme për shkak të aksioneve të shtetit për shembjen e ndërtimeve pa leje — në mes të sezonit. Aksione që në thelb janë të drejta, por që me mënyrën dhe kohën e zbatimit, dëmtojnë më shumë sesa ndihmojnë.
Nuk është e vështirë për një shtet që do të ndërtojë një turizëm serioz të bllokojë ndërtimet në dimër me një task-forcë ligjore, të veprojë me strategji, e jo me shfaqje publike. Kur një turist i huaj pyet në mes të pushimeve “A ka rrezik?”, kjo tregon se perceptimi që po ndërtojmë nuk është ai i një vendi mikpritës dhe të sigurt.
Përtej Thethit, problemi është më i thellë: Shqipëria nuk ka ende një strategji të mirëfilltë kombëtare për cilësinë në turizëm.
Jemi duke hyrë në një fazë të re, ku konkurrenca nuk është më vetëm mes plazheve brenda vendit. Sot garojmë me:
- Greqinë, e cila ofron standard të lartë shërbimi, mikpritje të organizuar dhe çmime të përballueshme;
- Malin e Zi, që ka pika të forta në infrastrukturë, menaxhim plazhesh dhe atraksione natyrore të mirëmenaxhuara.
Ne nga ana tjetër, kemi bukuri natyrore që s’kanë nevojë për shumë reklamë. Por ato nuk mjaftojnë. Turizmi nuk është vetëm peizazh — është shërbim, është përvojë, është komunikim, siguri, dhe mbi të gjitha organizim afatgjatë.
Nëse nuk veprojmë tani me një plan të qartë për ngritjen e cilësisë, profesionalizimin e shërbimeve dhe përkrahjen reale të zonave të largëta si Thethi, do të humbasim jo vetëm ritmin — por edhe besimin që fituam nga turistët vitin që shkoi.